Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 9

 

Emri “er-Rabb” (الرب) – Zoti

 

Ky është një emër madhështor i Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, i cili përsëritet në shumë vende në Kur'anin Fisnik dhe në kontekste të ndryshme, të cilat kalojnë mbi pesëqind. Thotë Allahu i Lartësuar:

﴿الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ٢

"Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve." [El-Fatihah, 2]

Thotë i Lartësuari:

﴿قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ١٦٢

"Thuaj (o Muhammed): Me të vërtetë që namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve." [El-En'am, 162]

Fjala “erRabb – Zot” do të thotë: Ai që posedon zotërimin e të gjitha krijesave të Tij, në krijimin, sundimin, drejtimin dhe sistemimin e çështjeve të tyre. Ky emër është një prej emrave që ka disa kuptime dhe nuk kufizohet me një kuptim të vetëm. Madje, nëse ky emër përmendet veçmas, i përmban të gjitha kuptimet e Emrave të bukur të Allahut dhe Cilësive të Tij të larta.

Prandaj, Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Me të vërtetë që Zoti është i Plotfuqishmi, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi, i Gjalli i Përhershëm, i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëdituri, Dëgjuesi, Shikuesi, Bujari, Dhuruesi dorëlëshuar, Ai që jep dhe ndalon, Ai që ka mundësi të të dëmtojë dhe të të bëjë dobi; i Pari i pafillim dhe i Fundit i pambarim; Ai që humb atë që do dhe udhëzon atë që do; e lumturon atë që do dhe hidhëron atë që do; e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do, si dhe kuptime të tjera që i përmban zotërimi i Tij, të cilat kuptime Ai i meriton nga Emrat e Tij të bukur."

 

Përktheu: Servet Mata