Bismilah...

Autor: Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://rabee.net/ar/articles.php?cat=8&id=340

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

Të gjitha lavdet janë për Allahun, lavdërimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, Shokët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tij. E më pas: Vërtetë, një prej gënjeshtrave të qarta që na e mveshin disa njerëz të së pavërtetës, është gënjeshtra se gjoja ne kemi “mbledhje sekrete”.

 

Porse kjo, është prej gënjeshtrave më të mëdha, sepse daueti ynë është që të thërrasim tek Allahu, te Libri i Allahut dhe te Suneti i të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, që të pasohet menhexhi i qartë dhe i kthjellët i Selefëve të devotshëm, i cili ka si themel të tijin Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, si dhe që të qëndrojmë sa më shumë larg nga organizimet sekrete dhe hizbija (partishmëria), të cilat ne i luftojmë shumë ashpër. Prandaj, kush na i mvesh neve këto organizime sekrete, kushdo qoftë ai, ka shpifur ndaj nesh, ka folur një gjë të rreme e të pavërtetë.

 

Lusim Allahun që të na ruajë nga sherri i atij dhe distancohemi para Allahut nga fjala e tij. Sepse thirrja jonë është e qartë, që thërrasim në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Ajo është e qartë dhe e kthjellët dhe ne e themi atë hapur dhe publikisht, me argumentet e saj të qarta e të kthjellëta nga Kur’ani dhe Suneti, në përputhje me rrugën e Selefëve fisnikë, të cilët dilnin haptazi me të vërtetën, refuzonin të pavërtetën dhe i shtypnin bidatet.

 

Shkrimet tona nëpër librat tanë dhe kasetat tona janë të qarta e të kthjellëta në thënien haptazi të së vërtetës dhe refuzimin e të pavërtetave, bidateve dhe devijimeve, sipas menhexhit të Selefëve të devotshëm. Kështu që, ne – lavdi Allahut! – s’kemi nevojë për “mbledhje sekrete hizbije”, të cilat janë prej metodologjive të njerëzve të bidateve dhe hizbijeve të fshehta e të shpikura. Lusim Allahun që të na ruajë nga gjëra të tilla, si dhe deklarojmë para Allahut që ne jemi të pastër prej gjërave të tilla.

 

Pra, fjala që ne kemi “mbledhje konsultative sekrete” është prej gënjeshtrave më të mëdha, e cila asgjësohet nga menhexhi ynë i qartë dhe i kthjelltë, të cilin e ndjekim që prej 40 vjetësh apo më shumë, e ai është menhexhi i Selefëve të devotshëm, i cili bazohet në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Shkroi: Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij

12 Sha’ban, 1440 hixhrij

 

Përktheu: Alban Malaj

13 Sha’ban, 1440 hixhrij