Bismilah...

Autor: Shejkhul-Islam Ibn Kajim el-Xheuzije

Burimi: “Miftah Darus-Se’ade”Nuk është e barabartë Dituria me Injorancën


Për sa i përket vlerës së diturisë dhe njerëzve të dijes,

Allahu Subhanehu ue Te’ala e ka mohuar barazinë midis njerëzve të dijes dhe njerëzve të tjerë, ashtu sikurse Ai e mohoi barazinë midis njerëzve të Xhenetit dhe njerëzve të Xhehenemit.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” [Zumer :9 ]

Ai ka thënë gjithashtu:

“Nuk janë të barabartë banorët e Zjarrit me banorët e Xhenetit.” [Hashr :20]

Kjo tregon vlerën e lartë të njerëzve të dijes dhe fisnikërinë e dalluar që kanë ata.

Urtësia është Dituri

Allahu i Lartësuar dëshmon për atë të cilit i është dhënë dija se Ai i ka dhënë atij një mirësi shumë të madhe:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai i dhuron Hikmen (urtësinë) atij që Ai dëshiron; dhe atij të cilit i është dhënë Hikmeti, vërtet që i është dhuruar mirësi e bollshme.” [Bekare, 269]

Ibn Kutejbe dhe shumica e dijetarëve kanë thënë: “Urtësia është të qënurit tek e Vërteta dhe të vepruarit duke qenë në përputhje me të. Dhe ajo është dija e dobishme dhe veprat e mira.”

Dituria është Mirësia më e Madhe

Allahu i Lartësuar i ka dhënë shumë të mira dhe virtyte të Dërguarit të Tij. Allahu i Lartësuar ka bërë mirësinë më të madhe që ia ka dhënë atij Librin dhe Hikmen (Urtësinë, e cila është Suneti i tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Allahu i mësoi atij atë që ai nuk e dinte.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Allahu të ka zbritur ty Librin (Kur’anin) dhe Hikmen (Urtësinë) dhe të mësoi ty atë çfarë ti nuk e dije. Dhe gjithnjë e më e madhe është Mirësia e Allahut mbi ty (O Muhammed).” [Nisa, 113]

Mirësia e Diturisë të detyron që ta falenderosh Allahun

Allahu i Lartësuar u kujtoi robërve të Tij besimtarë këtë mirësi dhe Ai i urdhëroi ata që të jenë falenderues dhe që ta përkujtojnë Atë për mirësitë që u ka dhënë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Po kështu, Ne ju kemi sjellë në mesin tuaj një të Dërguar nga vetë ju duke ju shpallur Vargjet Tona, duke ju pastruar ju, duke ju mësuar ju Librin (Kur’anin) dhe Hikmen (Sunnetin, rrugën e Pejgamberit), duke ju mësuar juve atë që nuk e dinit. Kështu pra, më kujtoni Mua (me falje, lavdërime etj), (që) Unë t’ju kujtoj ju dhe jini falënderues ndaj Meje (për Mirësitë e Mia të panumërta mbi ju) dhe kurrë mos u bëni mosmirënjohës ndaj Meje e të më mohoni.” [Bekare, 151-152]

Dituria është Mirësi në këtë Botë

El-Hasen [el-Basri] ka thënë për thënien e Allahut të Lartësuar: “Zoti ynë! Na jep në këtë botë atë që është e mirë…” [Bekare, 201]

“Ajo është dija dhe ibadeti.”

Dhe për sa i përket thënies së Allahut: “...të mira edhe në botën tjetër…!” [Bekare, 201]

“... ai është Xheneti.” Ky është një nga shpjegimet më të mira për këtë ajet.

Vërtet, mirësia më e madhe në këtë botë është dija dhe veprat e mira.

 

Përktheu Alban Malaj